
Paradoksi i sheshit dhe i emrit
Nga Agron Dalipaj
Në historinë e mendimit mesdhetar, gjuha shpesh mbart gjurmë konceptuale që leksikografia klasike i ka kornizuar brenda strukturave statike. Një nga këto raste është etimologjia e fjalës Agora (Ἀγορά). Sipas shpjegimit tradicional akademik, kjo fjalë derivon nga folja e greqishtes së vjetër ageirō (ἀγείρω — mbledh, grumbulloj, prej nga vjen edhe trajta agjirevo). Sipas këtij leximi, Agora mbetet thjesht një hapësirë fizike, një “pazar” ose një vend ku gjërat e njerëzit grumbullohen pasivisht.
Mirëpo, ky konstrukt përballet me një paradoks të thellë konceptual kur ndeshet me emrat e elitës intelektuale të antikitetit: Pit-agora, Prot-agora, Anaks-agora, Ksen-agora apo Herm-agora.
A ka gjasa që prindërit e antikitetit, apo vetë shoqëria që skaliti këta emra, t’u jepnin mendimtarëve më të mëdhenj të njerëzimit etiketa që lidheshin me “të mbledhurit e mallit” apo me “pazarin”?
Filozofia nuk lindi te mbledhja e sendeve, por te shpërthimi i fjalës. Duke e zhvendosur vështrimin nga grumbullimi pasiv te instrumenti primar i të menduarit dhe i shprehjes — Goja (A-Goja = gojtari) struktura e fjalës Agora zhvishet nga velloja e mëvonshme tregtare dhe i rikthen origjinës konceptin e saj natyror.
I. Shkatërrimi i hipotezës se AGORA vjen prej gr. Ageirō përmes emrave të mendimtarëve
Tek eposi homerik, Agora nuk është vend tregtie. Ajo është ekskluzivisht Kuvendi — hapësira ku burrat marrin fjalën. Nëse Agora do të rridhte nga ageirō (agjirevo = grumbulloj), kuptimi i emrave të filozofëve do të katandisej në sintagma absurde:
Prot-agora (filosof): Në vend të “Goja e Parë” apo “Oratori Kryesor”, do të thoshte “I parë në pazar” ose “I grumbulluari i parë”.
Pit-agora: Në vend të “Ai që pyet e flet me gojë orakulli” (Pyth + A-goja), do të mbetet një nocion i pa-metodë që s’lidhet me asnjë akt filozofik.
Ksen-agora: Në vend të “Ai që u flet të huajve” (K’s’njo + A-goja), do të interpretohej si “Pazari i të huajve”.
Është e qartë se folja ageirō mbron funksionin e mëvonshëm dytësor të sheshit si vend grumbullimi fizik, por dështon të shpjegojë pse kjo rrënjë ndërtoi emërtimet e filozofëve. Një mendimtar nuk emërtohej sipas vendit ku rrinte më këmbë, por sipas instrumentit me të cilin ndriçonte mendimin: fjalës së dalë nga goja.
II. A-GOJA > A-GORA: Instrumenti organo-funksional si bërthamë e gjuhës
Në gjuhësinë natyrore, emërtimet e para të fenomeneve mendore derivojnë drejtpërdrejt nga gjymtyrët e trupit dhe aktet organike. Goja është kanali anatomik dhe simbolik përmes të cilit mendimi i fshehur bëhet i kapshëm për botën.
Në trajtën A-GOJA, me protezën apo nyjën fillestare A-, fjala merr trajtën e një sintagme vepruese: akt me gojë, të folurit, nxjerrja e zërit.
Nëpërmjet alternimit natyror fonetik j > r (rotacizmi që përshkon mjaft trajtësime mesdhetare si te bir > bij), kalimi A-GOJA \ A-GORA ndjek rrugëtimin e thjeshtë:
A-GOJA (gojtari) >
A-GOLA >
A-GORA >
AGORA
Kjo e kthen emrin nga një vend statik në një funksion të gjallë: Agora është vetë akti i të folurit publik, hapësira ku mendimi bëhet zë.
III. Paralelet antropologjike te emrat shqiptarë: MEND-ja si bërthamë emërtuese
Kjo logjikë emërtimi përmes organit ose instrumentit mendor nuk është një rast i izoluar. Ajo gjen një sistem të plotë përkimi në antroponiminë shqipe, ku emrat ndërtohen drejtpërdrejt mbi procesin e të menduarit (Mend-ja):
AR-MEND: Nuk është një kombinim i rastësishëm tingujsh, por sintagma e drejtpërdrejtë Ar + Mend — Mendje e artë ose Arë e mendjes (punues i mendimit).
KLE’MEND (Kre’mend): I zbërthyer në bërthamën organike Krye + Mend — Kreu i mendjes, ai qenies së cilit i prin mendimi e jo forca brutale.
MENDU / MENDIM: Emërtimi i drejtpërdrejtë i procesit të përpunimit të ideve si emër përvetës.
Ashtu siç shqipja ndërton emrat e njerëzve mbi bërthamën Mend (Armend, Klemend), ashtu edhe antikitetit i dha emrat e filozofëve mbi bërthamën Goja / A-Goja / A-Gora (Pit-agora, Prot-agora). Në të dyja rastet, emri funksionon si një teserë identiteti që përshkruan vetinë më të lartë të personit: Mendjen dhe Gojën që e shpreh atë.
Përfundim: Rikthimi i Fjalës në Agorë
Të pohosh se Agora vjen nga ageirō do të thotë të vendosësh karrocën përpara kalit e të besosh se njerëzit më parë u mblodhën si turmë e pastaj zbuluan të folurit.
Rishqyrtimi etimologjiko-filozofik i konceptit tregon të kundërtën: Njerëzit u mblodhën sepse kishin diçka për të thënë. Agora lindi nga A-Goja — nga nevoja organike e njeriut për ta nxjerrë mendimin (Mend-in) jashtë përmes fjalës, duke e kthyer sheshin antik jo në një pazar tregtarësh, me të cilin do ta ngatërronte gramatika e mëvonshme, por në një tempull të gjallë të gojtarisë dhe të mendimit të lirë.
Përndryshe, nëse duan të pranojnë se AGORA nuk vjen nga shqipja A-GOJA, dikush duhet të justifikojë shkencërisht se ç’kuptim ka te emri Pit-agora, pjesa [agora]?
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.