E diel, 06 shtator 2026
ilustrim

Rast i rëndë, vritet një i mitur në Rahovec, nisin hetimet

Një i mitur është gjetur i shtrirë me plagë të rënda, që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit, në fshatin Bellacerkë të Rahovecit. Rastin e ka konfirmuar për Express Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjakovës.

Elezaj ka bërë të ditur se Policia është njoftuar për rastin rreth orës 20:35, ndërsa njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, por mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij. Në vendin e ngjarjes, si provë materiale, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.

“Rreth orës 20:35, jemi njoftuar se në fshatin Bellacerkë të Rahovecit, në vendbanimin e tij është gjetur një i mitur i shtrirë, me plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Njësitë e nevojshme policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, përderisa viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast  “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i viktimës dërgohet në IML. Aktualisht, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, njësitë përkatëse policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Elezaj.