
Skender Zogaj
Ndalimi i shkrimtarit dhe drejtuesit të Shtëpisë Botuese “Çamëria”, z. Arben Kondi, në pikën kufitare të Jazhincës nga autoritetet kufitare të Republikës së Kosovës përbën një akt të rëndë, i cili ngre shqetësime serioze lidhur me respektimin e lirisë së lëvizjes dhe të qarkullimit të librit në hapësirën shqiptare.
Z. Arben Kondi është një emër i respektuar i botës shqiptare të librit, me kontribut të çmuar në promovimin e kulturës, letërsisë dhe fjalës së lirë. Libri është një nga vlerat më të larta të qytetërimit njerëzor dhe trajtohet me respekt edhe në vendet me tradita shumë më të kufizuara demokratike. Për këtë arsye, çdo pengesë ndaj qarkullimit të tij përbën një precedent të papranueshëm.
Pas përfundimit të “Festës së Librit Gostivari 2026”, të organizuar nga Lidhja Shqiptare në Botë dhe Kuvendi për Maqedoninë e Veriut, më 29 korrik 2026, z. Kondi, gjatë rrugës për në Prizren, ku ishte ftuar të merrte pjesë në Panairin e Librit, u ndalua në pikën kufitare të Jazhincës. Po ashtu, pa ndonjë arsye të bërë publike, u pengua edhe hyrja e librave që ai synonte t’i prezantonte para lexuesve në këtë panair.
Ngjarje të tilla kujtojnë praktika që i përkasin periudhave më të errëta, kur kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe pengimi i qarkullimit të librit përdoreshin si mjete presioni ndaj kulturës dhe mendimit të lirë.
Autoritetet përgjegjëse duhet të marrin masat e nevojshme që raste të tilla të mos përsëriten. Respektimi i lirisë së lëvizjes, i librit dhe i veprimtarisë kulturore është detyrim i çdo shteti demokratik dhe vlerë themelore që duhet mbrojtur pa asnjë hezitim.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.