
Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi i mbijetoi nismës për shkarkimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, të mbajtur të enjten në Prishtinë.
Pas një dite të mbushur me tensione dhe debat të ashpër brenda partisë, delegatët votuan për fatin e Abdixhikut. Në votimin final, 170 delegatë u shprehën kundër shkarkimit të tij, ndërsa 152 votuan pro largimit nga posti i kryetarit, duke i dhënë kështu besimin për të vazhduar drejtimin e LDK-së.
Kuvendi ishte thirrur pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, në të cilat LDK-ja u rendit sërish e treta me 16.7 për qind të votave. Rezultati kishte nxitur një grup zyrtarësh dhe delegatësh të kërkonin përgjegjësi politike dhe ndryshim në udhëheqje, duke iniciuar mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Abdixhikut.
Para votimit, Abdixhiku e cilësoi Kuvendin si të panevojshëm dhe në kohë të gabuar, duke akuzuar disa figura të partisë për sabotim dhe përpjekje për ta futur LDK-në në krizë. Ai tha se nuk e shihte këtë Kuvend si festë të demokracisë së brendshme, por si një përpjekje për rrëzim.
Pas shpalljes së rezultatit, Abdixhiku u zotua se do të punojë për bashkimin e partisë, duke theksuar se nuk do të bëjë kompromise me vlerat e LDK-së dhe se do të shmangë përçarjet e brendshme. Ai e quajti procesin e shkarkimit një nga momentet më pak krenare në historinë 37-vjeçare të LDK-së, por tha se vota e delegatëve i dha legjitimitetin për të vazhduar punën.
Menjëherë pas rikonfirmimit, Abdixhiku njoftoi se LDK-ja do t’i rikthehet negociatave me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve të reja. Ai bëri të ditur se pezullimi i bisedimeve, i vendosur për shkak të procesit të brendshëm në parti, tashmë është hequr dhe se LDK-ja është e gatshme të vazhdojë diskutimet për krijimin e institucioneve.
Rezultati u përshëndet nga mbështetësit e Abdixhikut. Vjosa Osmani reagoi duke shkruar se “jo çdo fitore është e zakonshme, disa bëhen frymëzim”, ndërsa delegatë si Berat Rukiqi vlerësuan se Kuvendi nuk kishte qenë i nevojshëm dhe se vota e delegatëve i dha qartësi të ardhmes së partisë.
Nga ana tjetër, përkrahësit e ndryshimit pranuan verdiktin e shumicës. Deputeti Armend Zemaj tha se ai dhe 151 delegatë kishin besuar se ndryshimi do t’i sillte sukses LDK-së, por se shumica kishte vendosur ndryshe dhe se ky ishte tashmë realiteti politik i partisë. /Express
Lorem Ipsum is simply dummy text of the printing and typesetting industry. Lorem Ipsum has been the industry’s standard dummy text ever since 1966, when designers at Letraset and James Mosley, the librarian at St Bride Printing Library in London,
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.