
Data 8 gusht është dita më e trishtuar dhe më e dhimbshme për Lionel Messin që humbi njeriun më të dashur, atë që mbështeti në çdo hap të jetës së tij që bëri gjithçka që futbollisti të kishte karrierën e jashtëzakonshme që ka, që është lojtari i rekordeve që është sot.
Jorge Mesi, babai i Lionel Mesit, ka ndërruar jetë këtë të premte në një spital në Rosario të Argjentinës, në moshën 68 vjeç, sipas informacioneve të “Infobae”. Babai i Mesit, njëherazi biznesmen dhe agjent i futbollistit më të mirë në histori, luftonte prej kohësh me një sëmundje të rëndë.
Karriera e Lionel Mesit nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh rolin që luajti babai i tij, veçanërisht gjatë viteve të tij të para. Kur futbollisti u transferua në Barcelonë si djalë i vogël për t’u bashkuar me klubin, babai i tij vendosi ta shoqëronte atë për muajt e parë, ndërsa pjesa tjetër e familjes mbeti në Rosario. Gjatë një periudhe të shënuar nga pasiguria dhe ndryshimet e rëndësishme, Jorge u bë një mbështetje thelbësore për të birin ndërsa ai filloi të përshtatej me jetën e tij të re.
Ndërsa Lionel u rrit dhe karriera e tij mori një rëndësi më të madhe, edhe roli i Jorge evoluoi. Puna e tij u lidh kryesisht me menaxhimin e çështjeve profesionale të lojtarit, duke vepruar si një nga përfaqësuesit e tij kryesorë dhe duke marrë pjesë në vendime të rëndësishme gjatë viteve.
Edhe pse ai gjithmonë ka mbajtur një profil të ulët në media, prania e tij ka qenë konstante që nga fillimet e Mesit në futboll deri në mbërritjen e tij në elitën botërore.
Gjatë Botërorit u mësua se Jorge vuante nga një sëmundje e rëndë dhe futbollisti kishte kaluar një periudhë të vështirë pikërisht për situatën e të atit i cili nuk ndoqi turneun në SHBA përkrah familjarëve të tjerë.
Pas publikimit të lajmit të hidhur mesazhet e ngushëllimit nga ente sportive dhe sportistë kanë qenë të shumtë dhe mes tyre padyshim që nuk mungon Barcelona, klubi që e kuroi dhe e rriti Lionel Messin dhe ku futbollisti krijoi një epokë të artë dhe spektakolare.
Situata ishte aq e vështirë, sa Lionel Messi në një moment gjatë turneut kishte menduar edhe të largohej nga grumbullimi i kombëtares për t’u kthyer në Argjentinë dhe për të qëndruar pranë të atit.
“Në një moment gjatë turneut, Messi madje mendoi të largohej nga ekipi për të shkuar e për të parë babain e tij, Jorge”, raporton gazeta argjentinase Diario Olé.
Pas finales kundër Spanjës, Messi udhëtoi me urgjencë drejt Rosarios për të kaluar kohë me babain. Sipas raportimeve, ylli argjentinas nuk kishte mundur ta takonte Jorge për rreth dy muaj.
Edhe emocionet e forta të Messit gjatë Botërorit tashmë marrin një tjetër kuptim. Lotët e tij pas golit të parë ndaj Algjerisë u interpretuan si një moment emocional, ndërsa në prapaskenë ai po përballej me shqetësimin për gjendjen shëndetësore të të atit.
Jorge Messi kaloi një periudhë në spital dhe më pas vijoi të qëndronte në shtëpinë e tij në Rosario, ku u shoqërua vazhdimisht nga bashkëshortja, Celia. Edhe ajo nuk udhëtoi gjatë kësaj periudhe, duke qëndruar pranë tij.
Fëmijët e tjerë të çiftit, Rodrigo, Matías dhe María Sol, shkonin dhe vinin vazhdimisht për t’i qëndruar pranë Jorge Messit. Ndërkohë, Lionel komunikonte shpesh me familjarët e tij për të marrë informacion mbi gjendjen e babait.
Gjendja e Jorge Messit pati momente ku dukej se po përmirësohej, por në muajt në vijim mbeti e rëndë, duke e kthyer këtë në një betejë të gjatë dhe të dhimbshme për të gjithë familjen.
Jorge Messi ishte një figurë shumë e rëndësishme në jetën dhe karrierën e Lionel Messit. Edhe pse nuk kërkonte të ishte në qendër të vëmendjes dhe përgjithësisht preferonte të qëndronte larg skenës mediatike, ai ishte një nga njerëzit më të afërt me djalin e tij gjatë gjithë rrugëtimit të tij në futboll.
Ai do të kujtohet jo vetëm si babai i një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë, por edhe si një njeri i thjeshtë dhe familjar, që i qëndroi pranë fëmijëve të tij në çdo hap të jetës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Barcelona shprehu ngushëllimet e saj ndaj yllit të futbollit botëror përmes një mesazhi emocionues.
‘Presidenti dhe bordi drejtues i Barcelonës shprehin dhimbjen më të thellë për ndarjen nga jeta të Jorge Messit, babait të futbollistit dhe legjendës së Barcelonës, Lionel Messi dhe në emër të të gjithë barcelonizmit transmetojnë ngushëllimet për familjen Messi. Barcelona i është mirënjohëse Jorge Messit që i besoi klubit tonë fillimet dhe vitet më të shndritshme të karrierës futbollistike të djalit të tij, Leo. U prehtë në paqe’-lexohet në komunikatën e klubit kampion të Spanjës
Lionel Messi u transferua në Barcelonë në 2001 kur ishte vetëm 13 vjeç i shoqëruar nga babai i tij duke lënë vendlindjen e tij Rosarion ku hodhi hapat e parë si futbollist me skuadrën Neëell’s Old Boys. Me blaugranat, Lionel Messi fitoi trofe të panumërta dhe theu rekorde të njëpasnjëshme duke gdhendur fort emrin e tij në librin e historisë së klubit që është klubi i zemrës së tij.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.