E enjte, 13 gusht 2026
Kristian Shpendi

Klubi i Serisë A nuk heq dorë nga futbollisti i Kombëtares, gati oferta në ditët e fundit të merkatos

Një nga klubet e Serisë A që kërkon përforcime për sulmin mbetet Sasuolo. Ekipi i cili në këtë edicion do të drejtohet nga Alberto Akuilani, ka bërë disa lëvizje në merkato, por kërkon si zakonisht emra të rinj për t’i promovuar e për të përfituar financiarisht në të ardhmen.

Këtë radhë, objektiv i merkatos së Sasuolos raportohet se është sulmuesi Kristian Shpendi. Sasuolo e monitoron prej kohësh dhe në të kaluarën është folur vazhdimisht se është gati për të bërë një ofertë për sulmuesin e Kombëtares shqiptare i cili ka shkëlqyer me Çezenën në Serinë B.

Mediat italiane raportojnë se tashmë klubi ka planifikuar të bëjë një ofertë zyrtare në ditët e fundit të merkatos, për të siguruar firmën e futbollistit i cili vlerësohet se është gati për të bërë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë. Nën drejtimin e Akuilanit, i cili ka punuar për shumë vite në futbollin e moshave, mendohet se do të dijë të përshtatet shpejt me kërkesat që ka elita e futbollit italian.