E diel, 02 gusht 2026
bandeloral-kryesorePr

Mbyllet dita e 63-të e revoltës popullore: Ju erdhi fundi! Ramo jepe dorëheqjen!

Marshimi historik në protestën kombëtare të mbrëmjes së sotme, në ditën e 63-të të rezistencës popullore, mijëra qytetarë marshuan me një itinerar të qartë dhe mesazh publik dhe e mbyllën aty ku  nisën, para godinës së Kryeministrisë.

“Nesër më shumë” ishte thirrja e tyre e fundit, duke lajmëruar se edhe të dielën në mbrëmje do të mblidhen po aty për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeverisë.

Një valë masive protestash kjo që ka përfshirë Shqipërinë dhe ka bërë jehonë ndërkombëtare. Nga bulevardi para Kryeministrisë protesta u mbyll me thirrjen “Nesër më shumë”.

Gjithashtu nesër është paralajmëruar edhe një protestë në Shkodër, ku iu bë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë.

Gjatë marshimit itinerari vijoi te Bashkia e Tiranës për të dalë te Parlamenti dhe më tej “Rruga e Elbasanit”, “Liceu Artistik” dhe për t’u rikthyer sërish në bulevardin para Kryeministrisë.

“O milet, Rama ka siklet”, “Rama f*ck you”, “140 deputet, Parlament analfabet”, ata vijuan marshimin përreth.

Mijëra qytetarë, të bashkuar edhe me Diasporën, bënë thirrje për fundin e sistemit politik, largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ndryshim sistemi”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Arrestoni Ramën, arrestoni Berishën”, “Poshtë patronazhistët” ishin disa nga thirrjet e tyre teksa nisën marshimin tradicional në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Nuk munguan edhe thirrjet si: “Shqipëria e shqiptarëve” apo “Diaspora, zemra e Shqipërisë”.

Mbështetje u dha edhe për banorët e 15 bashkive që po shkrihen nga reforma Territoriale e PS-së. / Panorama