
Amina Nuraj
Na jena shkatërru si komb atëherë kur kena leju që dikush fol keq për heronjtë tanë kombëtarë, për njerëzit që janë simbol i historisë, sakrificës dhe identitetit tonë, si Skënderbeu e Nanë Tereza.
Jena shkatërru si komb kur kena leju shtetet e huaja me ndërhy mes nesh, me na nda, me na përça e me na bindë se dallimet mes nesh janë ma të mëdha se ajo që na bashkon. Na kanë mësu me e harru dashninë për njëri-tjetrin, me e harru historinë tonë dhe, dalëngadalë, me e humbë ndjenjën e përkatësisë.
Jena shkatërru si komb edhe sot, kur lejojmë disa njerëz me i sha e me i poshtëru gjeneralët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — njerëzit që sakrifikuan jetën, familjen dhe gjithçka që kishin për lirinë që ne sot e gëzojmë. Mundesh me pas mendim politik tjetër, mundesh me e dashtë një parti tjetër, por askush nuk ka të drejtë me e përdhosë sakrificën e atyre që dhanë jetën për liri.
Jena shkatërru edhe kur e kemi nda kombin tonë në parti politike. Sot shpesh nuk e pyesim veten: “Çka është e mirë për kombin?”, por: “Në cilën parti është ky njeri?” Dhe nëse nuk është me ne, e shohim si armik.
Por ma e dhimbshmja është kjo: jena shkatërru edhe sepse shpesh nuk dimë me ia dashtë të mirën njëri-tjetrit. Kur dikush ngrihet, duam me e rrëzu. Kur dikush ka sukses, kërkojmë me ia gjetë një të metë. Kur dikush punon për kombin, në vend se me i dhanë dorë, shpesh mundohemi me ia mbyllë rrugën.
Duhet me u zgju.
Sepse një komb nuk shkatërrohet vetëm me luftë. Një komb shkatërrohet edhe kur harron historinë, kur përbuz heronjtë, kur e urren vëllanë e vet, kur e shet dinjitetin për interesa të vogla dhe kur lejon përçarjen me u ba ma e fortë se dashnia për kombin.
Ne mundemi me pas fe të ndryshme, mendime të ndryshme dhe bindje politike të ndryshme. Por një gjë nuk guxon me ndryshu kurrë: dashnia për kombin, respekti për historinë dhe nderimi për ata që sakrifikuan për lirinë tonë.
Mos ta lëmë askënd me na e vjedhë atë që gjenerata të tana e kanë mbrojtë me gjak.
Sepse nëse e humbim kujtesën, e humbim identitetin.
Nëse e humbim unitetin, e humbim forcën.
E nëse e humbim dashninë për njëri-tjetrin, atëherë vërtet kemi humbë si komb.
Kombet nuk zhduken vetëm kur i pushtojnë të tjerët. Zhduken edhe kur vetë fillojnë me e shkatërru njëri-tjetrin.
Prandaj, le të mos jemi gjenerata që e humbi atë që para nesh e mbrojti me jetë. Le të jemi gjenerata që e ktheu krenarinë, unitetin dhe dashninë për kombin në vendin që e meritojnë.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.