
Spanja dhe Portugalia janë të gatshme të heqin dorë nga bashkëorganizimi i Kupës së Botës 2030 nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk tërhiqet nga plani i tij për privatizimin e të drejtave komerciale të turneut.
Infantino shkaktoi reagime të ashpra në botën e futbollit pasi prezantoi projektin për krijimin e një kompanie të re, FIFA Forward Enterprise (FFE), përmes së cilës synon të ftojë investitorë privatë të blejnë aksione minoritare në aktivitetet komerciale dhe organizative të FIFA-s.
Kompania e re vlerësohet të ketë një vlerë prej rreth 15 miliardë funtesh, ndërsa FIFA synon të sigurojë mbi 20 miliardë dollarë përmes investimeve private.
Grupi i investitorëve pritet të udhëhiqet nga kompania amerikane “Thrive Capital”, në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të dhëndrit të Donald Trump.
Për të siguruar mbështetje, Infantino u premtoi çdo federate anëtare që do ta votonte projektin një pagesë prej 30 milionë funtesh deri më 19 shtator.
Megjithatë, plani i tij është përballur me kundërshtime të forta.
UEFA reagoi ashpër dhe paralajmëroi se 55 federatat e saj janë të gatshme ta bojkotojnë Kupën e Botës nëse projekti miratohet.
Edhe Konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF), si dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC), kanë dalë kundër propozimit, duke bërë që numri i federatave që nuk e mbështesin të kalojë shifrën 100.
Goditje për Infantinon erdhi edhe nga brenda FIFA-s, pasi këshilltari i tij i lartë, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen duke e cilësuar projektin si “një marrëveshje të keqe për futbollin”.
Qëndrimi i tij konsiderohet veçanërisht domethënës, pasi tregon se edhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të FIFA-s nuk e mbështet këtë iniciativë.
Spanja, Portugalia dhe Maroku janë planifikuar të organizojnë Kupën e Botës 2030, ndërsa nga një ndeshje do të zhvillohet edhe në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai, në kuadër të 100-vjetorit të turneut.
Ndërkohë, FIFA po synon gjithashtu ta zgjerojë Botërorin e vitit 2030 në 64 kombëtare, pasi edicioni i vitit 2026 u zgjerua nga 32 në 48 skuadra.
Megjithatë, sipas raportimit të “El Español”, organizimi i Botërorit 2030 tashmë është në “rrezik serioz” për shkak të planit të Infantinos për shfrytëzimin komercial të të drejtave të turneut.
“Asnjë kombëtare e UEFA-s nuk do të marrë pjesë në asnjë kompeticion të FIFA-s për sa kohë që këto propozime mbeten në fuqi”, deklaroi presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin.
Duke mbështetur plotësisht qëndrimin e UEFA-s, Spanja dhe Portugalia po lënë të kuptohet se janë të gatshme jo vetëm të mos marrin pjesë, por edhe të heqin dorë nga organizimi i Kupës së Botës 2030.
Situata mbetet më e paqartë për Marokun.
Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), ndryshe nga UEFA, AFC dhe CONCACAF, nuk e ka refuzuar menjëherë projektin, por ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillojë një mbledhje të brendshme për të shqyrtuar dhe vlerësuar propozimin e FIFA Forward Enterprise.
Ky qëndrim lë ende hapësirë për negociata me FIFA-n, ndërsa kundërshtimi i hapur i Spanjës dhe Portugalisë e vë edhe më shumë në pikëpyetje zhvillimin normal të Kupës së Botës 2030./GazetaExpress/
Lorem Ipsum is simply dummy text of the printing and typesetting industry. Lorem Ipsum has been the industry’s standard dummy text ever since 1966, when designers at Letraset and James Mosley, the librarian at St Bride Printing Library in London,
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.