E mërkurë, 19 gusht 2026
Shemsedin-Dreshaj

Manipuluesit dhe kriza në shoqërinë kosovare. Problemi me vlerat reale (2)

Prof.Dr. Shemsedin Dreshaj

Shoqëritë në tranzicion shpesh karakterizohen edhe nga kriza morale e politike. Këto rrethana zakonisht përmbysin kriteret e vlerës dhe promovojnë antivlerën si vlerë. Kur antivlera bëhet shumicë dhe kriter vlerësimi, vlera e vërtetë hesht dhe fundoset. Në këto rrethana fitojnë manipuluesit.

Po çfarë e karakterizon këtë mendësi? Afrimi i shpejtë, vetëpromovimi, mbështetja joparimore dhe kapja e posteve menaxheriale me përfitime të majme.

Po si mbijeton kjo mendësi në këto shoqëri me krizë vlerash?

A e dini se çfarë ndodh kur një manipulues e kupton se përgjithmonë e ka humbur kontrollin mbi ju (vlerën)? Kur e kupton se lotët e tij më nuk kanë efekt, se ndaj kushtëzimeve të tij më nuk reagoni dhe se rrenat e tij nuk i kalojnë kufijtë tuaj? Manipuluesi nuk e pranon kurrë dështimin.

Ai e ndërron fushëbetejën. Pasi nuk mund t’ju kontrollojë juve, ai do të fillojë të kontrollojë atë që njerëzit rreth jush mendojnë për ju. Dhe këtu fillon loja më e ndytë.

Brenda natës, ju shndërroheni në personin më negativ në tregimet e tyre të manipuluara. Ata do të shkojnë nga njëri te tjetri, shtëpi më shtëpi, duke u paraqitur si viktimë, duke i shtrembëruar fjalët tuaja dhe duke ju njollosur imazhin. Qëllimi i vetëm i tyre është t’ju izolojnë, duke i kthyer kundër jush miqtë, të afërmit e madje edhe familjen tuaj, në mënyrë që të mbeteni i vetmuar.

Ata mendojnë se, pas izolimit tuaj të plotë, do të dorëzoheni dhe do t’u ktheheni duke iu lutur që t’ju pranojnë përsëri.

Por ja çfarë manipuluesit nuk e kuptojnë dhe ju duhet ta dini: le të flasin, le të rrejnë, le ta afrojnë pranë vetes secilin që është aq i marrë sa t’u besojë rrenave të tyre dhe të mos ju pyesë juve për të vërtetën.

Humbja e njerëzve që janë të gatshëm t’ju kthejnë shpinën dhe t’u besojnë rrenave të manipuluesit nuk është humbje e juaja. Ky është pastrimi i jetës suaj nga miqtë e rremë dhe interesxhinjtë.

Prandaj, qëndroni drejt dhe shihni se si manipuluesi, me rrenat e tij, e spastron rrethin tuaj – diçka që ju kurrë nuk do të mund ta bënit vetë.

Vlerat e vërteta dhe të dëshmuara, guximi intelektual dhe një strategji e qartë për të nesërmen janë rruga më e sigurt për çveshjen e kësaj kaste dhe për nxjerrjen e shoqërisë nga kjo krizë, e cila në shikim të parë duket pa dalje.