
“Në aspektin institucional kur dalin institucionet jashtë normave kushtetuese, atëherë kemi të bëjmë me bandë të organizuar apo uzurpator të pushtetit. Mund ta quash edhe huliganizëm institucional”, tha Hasani.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se që nga 6 gushti vendi është pa president dhe është “një anarki e organizuar sa i përket funksionimit të organeve qendrore”.
Hasani ka thënë se ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu në momentin kur është betuar si deputete ajo e ka humbur postin e ushtrueses së detyrës së presidentes dhe po e mban atë post jashtëligjshëm.
“Zonja Haxhiu me vetëdije dhe një pjesë bukur e madhe e ministrave ushtrojnë dy funksione… Me delegjitimimin e organit të fundit të ushtrueses së detyrës gjendja ka dalë total jashtë kuadrit kushtetues. Tash si të thuash është anarki e organizuar sa i përket funksionimit të organeve qendrore”, ka thënë Hasani në “Konfront” të KTV-së.
Hasani ka thënë se nuk bëhet më fjalë për afate, pasi në momentin që Haxhiu është betuar për deputete afatet kanë mbaruar.
“Nuk diskutohet më 4 tetor apo 3 tetor. Ajo do të vlente vetëm në rrethana normale. Do të vlente ai 6 muajshi nëse mos e dhashtë Zoti ka paaftësi, apo vdekje apo ndërprerje që bëhet për shkaqe objektive. Atëherë do të vlente. Por, ishte situatë e pastër kushtetuese. Aktgyjimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i qartë. Pushteti e disa që flasin nuk i lexojnë e nuk merren fare me aktgjykimet, sikur të mos ekzistonte fare Gjykata Kushtetuese”, tha Hasani.
Hasani ka thënë se vendi është pa president dhe çdo veprim që merr Haxhiu s’ka vlerë.
“Jemi absolut pa president. Çdo veprim i zonjës Haxhiu është sikur ta marrim veprimin unë, ti apo kameramani. Zonja Haxhiu e ka ndërpre afatin me dhënien e betimit si deputete. Nuk mund të jesh deputete, kryetare e Kuvendit e ushtruese e detyrës së presidentes. Askund në botë nuk ka kështu”, tha Hasani.
Ai gjendjen e ka quajtur anarki.
“Në aspektin institucional kur dalin institucionet jashtë normave kushtetuese, atëherë kemi të bëjmë me bandë të organizuar apo uzurpator të pushtetit. Mund ta quash edhe huliganizëm institucional”, tha Hasani, ndërsa shtoi se ka plotë vepra penale që po kryhen nga ministrat që po nënshkruajnë sot vendime të ndryshme. / KTV
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.