E mërkurë, 12 gusht 2026
Jav-kuvendi

Dhjetëra akademikë, profesorë e intelektualë kërkojnë mbrojtjen e rendit kushtetues

Dhjetëra profesorë, akademikë, artistë, intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë apel që të themelohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e fundit të mbajtura më 7 qershor të këtij viti.

Në një letër të nënshkruar, ata kanë kërkuar mbrojtje të rendit kushtetues, duke bërë thirrje që Republika nuk mund të mbahet peng.

Përmes kësaj letre, ata kanë shprehur shqetësimin e thellë të tyre për vazhdimin e krizës institucionale dhe për rrezikun që ngërçi politik të cenojë rendin kushtetues, demokracinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet pa institucione funksionale për shkak të kalkulimeve partiake, interpretimeve të njëanshme të Kushtetutës apo mungesës së vullnetit për kompromis demokratik. Kjo po e dëmton besimin e qytetarëve në demokraci, po e pengon zhvillimin ekonomik dhe social dhe po e cenon pozitën ndërkombëtare të Kosovës në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm për sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.”, thuhet në letër.

Në vazhim një pjesë e letrës dhe emrat e të nënshkruarve

Prandaj, kërkojmë që :

  • Deputet e çertifikuar e nën betim me urgjencë të ndërmarrin veprime konform detyrimeve të tyre kushtetuese që i gjithë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera të shtetit të realizohet pa vonesë dhe sipas detyrimeve kushtetuese. Gjykata Kushtetuese i ka qartësuar detyrimet e deputetëve lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe ka thënë qartë që askush nuk ka të drejtë të pengojë ose bllokojë konstituimin e Kuvendit. Nuk duhet lejuar që vendi të mbetet në një gjendje të paralizës institucionale, e cila krijon precedentë të dëmshëm dhe pasoja afatgjata për funksionimin e institucioneve, rendin kushtetues, stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
  • Partitë politike dhe institucionet përgjegjëse të heqin dorë nga ultimatumet, përjashtimi politik, logjika e imponimit dhe çdo përpjekje për ta ngritur interesin partiak, grupor apo elektoral mbi interesin shtetëror, si dhe nga veprimet që i kontribuojnë dobësimit të kohezionit shoqëror dhe rritjes së tensioneve politike.
  • Qarqet akademike, shoqëria civile, mediat, profesionistët dhe të gjithë qytetarëve të mos qëndrojnë indiferentë përballë degradimit të kulturës demokratike e kushtetuese, dhe normalizimit të bllokadës institucionale. Kosovës i nevojitet një debat publik i mirëfilltë, kritik, racional dhe konstruktiv, i mbështetur në argumente dhe në respekt për dinjitetin e secilit. Në këtë kontekst, refuzimi i fushatave denigruese, gjuhës së urrejtjes, linçimit publik dhe diskursit përçarës është njëri ndër faktorët përcaktues për shmangien e potencialit për rritje të tensioneve politike dhe shoqërore, të cilat mund të kenë pasoja të paparashikuara për vendin.
  • Institucionet dhe liderët politikë të rikthejnë në qendër të veprimit shtetëror interesat strategjike dhe afatgjata të Republikës së Kosovës. Integrimi euroatlantik, forcimi i aleancave me partnerët strategjikë, konsolidimi ndërkombëtar i shtetit, dhe trajtimi me dinjitet i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunitetet jo-shumicë, duhet të trajtohen si interesa madhore kombëtare, përtej ndarjeve partiake. Kosova nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara!

Prishtinë 12 Gusht 2026

Të nënshkruarit në renditje alfabetike:

  1. Agon Maliqi, politolog dhe bashkëpunëtor rezident i Këshillit Atlantik
  2. Alban Hashani, dr. i shkencave ekonomike
  3. Alban Muja, artist dhe ligjërues
  4. Albert Prenkaj, ambasador
  5. Anton Berishaj, prof. dr. i sociologjisë, anëtar i rregullt i ASHAK-ut
  6. Arben Qirezi, dr. i shkencave politike, hulumtues dhe aktivist politik
  7. Arian Zeka, lider i komunitetit të biznesit – AMCHAM
  8. Arta Rama, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese dhe mësimdhënëse në AAB
  9. Avni Spahiu, ish-ambasador dhe publicist
  10. Bekim Blakaj, drejtor i HLC-së
  11. Bekim Sejdiu, prof. ass. dr. i së drejtës ndërkombëtare, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës
  12. Dajana Berisha, drejtoreshë e Forumit për Iniciativë Qytetare (FIQ)
  13. Dashamir Berxulli, prof. asoc. i psikologjisë
  14. Dritero Arifi, prof. ass. dr. i shkencave politike
  15. Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi
  16. Enver Hasani, prof. dr. i së drejtës ndërkombëtare, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese
  17. Gresa Caka, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese
  18. Ibrahim Arslan, jurist dhe ish-zëvendës i Avokatit të Popullit të Kosovës
  19. Igballe Rogova, aktiviste për të drejtat e grave
  20. Ilaz Ramajli, avokat
  21. Ilir Deda, politolog
  22. Iliriana Jaka – Gashi, Doktoreshë, Drejtore e K-Ë4Ë
  23. Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së
  24. Isuf Berisha, dr. i filozofisë
  25. Kolë Krasniqi, prof. dr. i së drejtës penale
  26. Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
  27. Luan Shllaku, ekspert i shkencave të mjedisit
  28. Lulzim Rafuna, lider i komunitetit të biznesit – OEK
  29. Lulzim Peci, dr. i shkencave politike, ekspert i sigurisë dhe politikës së jashtme
  30. Mentor Agani, dr. sc. i sociologjisë
  31. Muhamedin Kullashi, prof. dr. i filozofisë dhe anëtar i rregullt i ASHAK-ut
  32. Muhamet Mala, prof. dr. i historisë dhe anëtar korrespondent i ASHAK-ut
  33. Muhamet Mustafa, prof. dr. i shkencave ekonomike dhe i menaxhimit të zhvillimit
  34. Pal Shtufi, filozof
  35. Petrit Gashi, prof. dr. i shkencave ekonomike
  36. Ramadan Ilazi, dr. i shkencave politike dhe ekspert i sigurisë
  37. Robert Muharremi, prof. ass. dr. i së drejtës ndërkombëtare
  38. Saxhide Mustafa, dr. i shkencave ekonomike – menaxhment, aktiviste për fuqizim të grave
  39. Sejdi Osmani, jurist, ekspert për zhvillim lokal
  40. Shenoll Muharremi, ekonomist
  41. Shkelzen Maliqi, publicist
  42. Valdete Daka, ish-gjyqtare e Gjykatës Supreme të Kosovës
  43. Valentin Toci, prof. dr. i shkencave ekonomike
  44. Visar Ymeri, sociolog dhe aktivist i shoqërisë civile
  45. Senad Šaboviċ, politikolog dhe ekspert i negociatave e marrëdhënieve ndër-etnike
  46. Vjosa Dobruna, ish-ambasadore dhe veprimtare për të drejtat e njeriut