
Pamje të filmuara me dron tregojnë numrin e madh të protestuesve që mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 77-të të protestës qytetare.
Protestues të shumtë, mes tyre edhe qytetarë të ardhur nga diaspora, vijuan për disa orë marshimin në kryeqytet.
Nga pamjet ajrore duket një numër i madh qytetarësh që lëvizin përgjatë bulevardit, duke krijuar një “lumë” njerëzish në rrugët e Tiranës, ndërsa ka dominuar në masë edhe flamur shqiptar.
Pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë.
Bulevardi kryesor “Dëshmorët e Kombit” u mbush me protestues, ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve të ardhur nga jashtë vendit ka qenë një prej elementëve kryesorë të tubimit të sotëm.
Gjatë fjalimeve, qytetarët dhe aktivistët kanë renditur një sërë shqetësimesh që kanë sjellë protestat në këtë pikë, duke përmendur ekonominë, korrupsionin, keqqeverisjen, varfërinë dhe çështjen e pronave.
Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj u bëri thirrje qytetarëve të mos kenë frikë t’i bashkohen lëvizjes, duke theksuar rëndësinë e bashkimit dhe të besimit te njëri-tjetri. Ajo kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të asaj që e cilësoi si “klasë politike të korruptuar”.
Në protestë është dëgjuar edhe zëri i diasporës. Një emigrant nga Kukësi, që jeton në Itali, kërkoi ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë dhe të institucioneve europiane.
Gjatë protestës nuk kanë munguar as thirrjet për drejtësinë. Një prej qytetarëve kërkoi hetimin e kryeministrit Edi Rama nga SPAK, ndërsa u bëri thirrje edhe socialistëve të ndershëm që të reflektojnë përpara se të mbështesin qeverinë.
Në protestë është përcjellë edhe një mesazh nga koordinatori i Forza Italia për Ballkanin, Lorenzo Grassini, i cili deklaroi mbështetjen e tij për të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
“Kur një popull del në shesh, nuk po krijon rrëmujë, por po ushtron lirinë më të vjetër që ekziston, atë për t’u dëgjuar”, tha Grassini.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.