
Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, lidhur me akuzën për vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit 2021, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Të tre të dyshuarit, akuzoheshin se, më 26 nëntor 2021, nën motivin e hakmarrjes, kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit.
Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj u liruan nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, kurse Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
“Të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, me shënimet personale si në shkresat e lëndës, për veprën penale si në dispozitivin 1 të aktakuzës, lirohen nga akuza. I pandehuri Halil Mehmetaj, me shënimet personale si në shkresat e lëndës, lirohet nga akuza për shkak të veprës penale shtytje në vrasje të rëndë për veprën penale si në dispozitivin 3 të dispozitivit të aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj lirohet nga akuza që ka të bëjë me veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska.
Por, Halil dhe Kreshnik Mehmetaj u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje.
Halil Mehmetaj u dënua me 3 vjet burgim, kurse Kreshnik Mehmetaj me 1 vit burgim.
“Të pandehurit Halil dhe Kreshnik Mehmetaj, me shënimet si në shkresat e lëndës, për veprën penale si në dispozitivin 3 të aktakuzës, shpallen fajtorë për shkak të veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Të pandehurit Halil Mehmetaj i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh. Të pandehurit Kreshnik Mehmetaj i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, tha Përlaska.
“Prokuroria mendon që përtej çdo dyshimi e ka bazuar në shumë prova. Kështu që, thashë edhe njëherë, beteja vazhdon. Kjo është vetëm shkalla e parë. Do t’i shkojmë deri në fund”, tha Gashi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkoheshin se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.