E mërkurë, 12 gusht 2026
shemsedin-dreshaj-1

Rugova e përdori autoritetin për çlirim e shtetndërtim – Kurti e përdor pushtetin për ta nënshtruar e deformuar popullin

Nga Prof. Dr. Shemsedin Dreshaj

Në periudha lufte, popujt bashkohen, qëndrojnë dhe luftojnë për çlirim. Liria dhe mbijetesa bëhen imperativ. Tragjedia i bashkon të gjitha qeniet, jo vetëm qeniet njerëzore! Në historinë e re të Kosovës, lufta për liri kaloi nëpër disa faza: rezistenca ilegale, e udhëhequr nga organizata të ndryshme në periudha të caktuara; rezistenca politike dhe paqësore e LDK-së; rezistenca politike dhe e armatosur e udhëhequr nga UÇK-ja; dhe, pas vitit 1999, periudha e lirisë dhe e shtetndërtimit.

Të gjithë këta djem e vajza e deshën popullin. Ata u sakrifikuan për çlirimin, vendin dhe lirinë e tij, së bashku me udhëheqësit dhe liderët e tyre. Nga një vend i djegur, i masakruar dhe i shkatërruar në çdo aspekt, Kosova u ringjall.

Me kapitalin vetanak dhe me asistencën ndërkombëtare, ajo ndërtoi institucionet e saj dhe sot është një shtet funksional, me administratë, infrastrukturë, ushtri, polici dhe gjyqësi. Të gjitha subjektet politike lanë gjurmët e tyre në çlirimin dhe në ndërtimin infrastrukturor, administrativ dhe të sigurisë së vendit. Historia do t’i vlerësojë të gjithë sipas veprave të tyre!

Por, në këtë histori, vetëm dy liderë e lexuan drejt shpirtin dhe nevojat e popullit. Vetëm njëri prej tyre e deshi dhe e ndërtoi vizionin e tij mbi lirinë dhe shtetndërtimin. Rugova e përdori autoritetin dhe njohjen e tij ndërkombëtare për ta çliruar dhe shtetndërtuar Kosovën. Ndërsa Kurti, sipas bindjes sime, e përdori pushtetin për ta nënshtruar, deformuar dhe izoluar atë.

Koha do ta dëshmojë se cili vizion i shërbeu Kosovës dhe cili i shërbeu vetëm pushtetit.